11 shtator 2007

Mysafirja

Shumë prej jush nuk e njohin, qofshin edhe komentuesit e rregullt të këtij blogu, por ajo që kur kishte lexuar një herë vjershën e reçelit është bërë lexuese e rregullt e këtij blogu (e apasionuar sidomos pas fjalëkryqeve ).
Si të gjithë shqiptarët që internetin e përfitojnë nga kompiuteri i punës, dhe ajo nuk është se mund të zgjatet me blogjet, por shpeshherë më shkruan në privat dhe pas kaq kohësh qemë bërë shokë.
Para disa kohësh më shkruante se kishte nxjerrë një vizë për të vizituar Italinë dhe meqë do të kalonte në Vicenca, jo pa humorin e saj të hollë më shkruante: meqë do vij andej, do që të të sjell ndonjë shishe me raki apo ndonjë 'kavanoz me reçel fiku'?
Dhe unë me 'paturpësinë më të madhe' i thshë që të takonte nja dy shokë në Tiranë që kishin diçka për të më dërguar (përfitoj nga rasti që të falenderoj publikisht StrngeMan-in, që qe interesuar dhe më pati gjetur "Ridënimi"-n e Fatos Lubonjës , si dhe SHokun që nëpërmjet njohjesh të ndryshme, pati arritur që ti tregonte Irma Libohovës për blogun dhe që kishte marrë kështu CD-të e autografuar për mua).

I thashë gruas: Do të vijë mysafire një shoqe nga Tirana.
Më pa me një shikim që asnjë radiografi, ekografi, Tac o ku di unë do të mund të skanerizonin në të mijtën e sekondit çdo gjë materiale ose që kalonte në kokën time në formë mendimi, dhe për herë të parë vura re se nuk u bë xheloze me shoqet e mija të internetit (për të cilat s'është se ka ndonjë konsideratë shumë të lartë :), dhe s'bëhet fjalë këtu për shoqet që blogojnë).
Çupa e madhe, kur e jëma i kishte thënë për 'mysafiren' i kishte thënë:Ëëëë??? Dhe ti beson se ka miqësi në internet?? Dhe duke thënë që: ishte më mirë të ikte nga tezja se sa të shikonte ndonjë xhest të pakontrolluar të ndonjërit prej nesh dhe të na 'vriste' fare,dhe ato dy ditë, ajo vërtet nuk ndenji në shtëpi, duke i dhënë ajo 'këshilla' së jëmës për të gjetur ndonjë 'ndryshim' të 'çuditshëm' tek unë (dhe jo vetëm që nuk u rruajta ato ditë për tu bërë më i 'bukur', sepse edhe nuk është ndonjë sport i preferuar për mua, por edhe dhëmbët nuk i lava :PP )

Më në fund, me gruan dhe çupën e vogël, vajtëm ta prisnim tek stacioni i trenit, gjithsekush nga ne nën efektin e çuditshëm që të ngjallin këto takime 'al bujo' kur nuk ke asnjë të dhënë ndaj personit që do të të paraqitet.

Erdhi, solare, e qeshur dhe me një natyrshmëri sikur kishim 100 vjet që njiheshim u takuam dhe bënim muhabet sikur kishim vetëm një javë që ishim ndarë, dhe jo vetëm unë, por edhe gruaja dhe çupa, që pas hezitimit fillestar (nën efektin 'motër' dhe 'urdhërave' të saj për të qënë gjithmonë në 'gadishmëri' :)), ju ngjit dhe s'i shkëputej asnjë çast.

Siç thashë dhe më lart, është një vajzë e zgjuar dhe me humor, po ti shtoje kësaj dhe bukurinë (dhe jo se e dua si çupën time, por është me të vërtet yll) dhe natyralitetin dhe elegancën me të cilët ecte sillej dhe bisedonte, ishte e pamundur që të mos ta konsideroje si të shtëpisë.

Qeshnim me fotomontazhet që bënim me paint të fotografive që kishim bërë gjatë shëtitjeve (natyrisht në sfond këngët e Irmës më bënin akoma më 'artist' dhe të ndjeshëm), po ashtu, bashkë me gruan përgatisnin për të ngrënë (dhe... lanin pjatat :).

Edhe pse është tashmë e madhe (ka mbaruar universitetin dhe punon), përsëri, në sytë e saj të mrekullueshëm shikoje notat 'foshnjore' të ekspresionit, sidomos kur donte që ti shkonte e 'saja'.
Në të tilla raste një person këmbëngulës si ajo, do ta klasifikoja automatikisht:Kokëmushkë, por, kur këmbnguljes së saj i shtoje të gjitha nuancat foshnjore/femërore të shikimit dhe mimikës së saj, që kalonin nga: "hë mo se s'bëhet nami"(për gjërat e vockëla) , tek 'aman' dhe deri tek shikimi i vendosur dhe i 'vrënjtur' (këtu vërtet prej 'kokëmushke') që s'linte vënd për diskutime në vendimet e saj.
Kisha ndërmënd që të shkruaja që kur shkruajta për dhuratën, por mendova se do të ishte diçka më e bukur ta mbaja për vehte, por sot më shkruajti dhe më falenderonte për pritjen dhe i fejuari i saj dhe kështu që mendova që ti hidhja këtu të gjitha :).

E çuditëshme ndarja tek stacioni, një ndarje që gjithsekush prej nesh ndjente që diçka po shkëputej, ndoshta jo diçka e domosdoshme, por gjithsesi diçka që na bëri të kalonim disa momente të bukura në shoqërinë e saj, që e dimë se ndoshta s'do të takohemi më, por edhe kur të takohemi, kur ti bierë rasti, e dimë që do takohemi me një njeri 'të shtëpisë' :).

Nuk jam besimtar, dhe shpesh dëgjoj që janë vuajtjet dhe mundimet që i bëjnë njerëzit që ti drejtohen Zotit, ndërsa unë, nëse ka momente që më vjen natyrshëm që ti lutem Zotit, janë vetëm ato në të cilat i uroj mbarësi dhe shëndet njerëzve që dua.
Prandaj po e mbyll me urimin që i bëra asaj dhe të dashurit të saj: Zoti ju ruajtë dhe ju dhëntë shëndet e dashuri gjithë jetën, juve dhe familjeve tuaja, që duhet të jenë krenare për ç'fëmijë kanë.
Faleminderit SantaM!

9 komente:

  1. Edrus!Te pershendes dhe shkrimin"Mysafirja"jo vetem e lexova,por dhe e pelqeva.Shkruar thjesht,po bukur:kur thone kozmonautet"Zbritem bute ne siperfaqen e henes?!"THjeshtesia dhe dliresia e ndjenjave(a ka gje me te bukur,valle?)jane ne sinkron te plote ne shkrimin tend.Sidite e Irmes t'i gezosh dhe gezuar ne te gjitha drejtimet.

    PërgjigjuFshije
  2. Kta lloj mysafiresh jane gjithnje te mirepritur sepse vertet te lene shije te mire dhe pozitive tek njerzit. Me vjen mire qe vizita doli me sukses dhe pa asnje problem nga gocat dhe gruaja:))

    Gjithe te mirat!

    PërgjigjuFshije
  3. Ej, :D
    mos fillo te na fusesh ne keshtu kujtimesh...se jan beterr (ne kuptimin e mire te fjales)

    Nje takim i till mua me ka ndryshuar jeten kohe me pare.

    PërgjigjuFshije
  4. Ed shume i bukur dhe ngrohte ky shkrim me pelqeu shume.sa bukur e ke paraqit atmosferen familjare me kenaqe.nga ana tjeter ndermjet blogut eshte e vertete se kemi fituar disa shoqeri te mira , une per vete me disa jam njohur dhe personalisht dhe kam pire dhe kafe e çaj me demek km bere i dore te mire muhabeti dhe jam kenaq shume:)dhe nje here te pershendes per shkrimin qe e lexova dhe nje here dhe qe si pasqyre e karakterit te tere familjes suaj...

    PërgjigjuFshije
  5. Befsh hajer o Edi! Shtepia jote nxente vetem njerez me zemer te bute dhe shpirt te embel! Qofsh gjithmone per i rrethuar nga njerez te dashur!

    Mu be qefi qe lexova shkrimin.
    Faleminderit.

    PërgjigjuFshije
  6. shume bukur... krejt shqiptare... pershendetje ed

    PërgjigjuFshije
  7. Pse s'thua ti qe paskam shpetuar mire un pa ndonje gje te thyer?;-PP
    Po me ate pershkrim qe ke bere, edhe une do kisha pasur qejf ta kisha mysafire ate gocen..
    Ishte nje privilegj qe pata mundesine te te njihja ty dhe familjen tende. Faleminderit per te gjitha.

    Mysafirja SantaM.

    PërgjigjuFshije

Faleminderit per komentet