16 janar 2007

Tregim nga DX

E di qe 'koha' eshte nje element i cmuar per ju qe beni xhiro ketu,por do t'ju lutesha qe te lexonit kete tregim te shkurter qe pashe tek nje blog ....
Kujdes qe te shkoni deri ne fund,sepse neper fjalet e shperndara aty-ketu,fshihet dhe segreti i epilogut.

Do m’japsh atë që’eq’i?—tha Nasipi me atë zërin e vet mërzitshëm hundor, pa ngjyrë dhe njëmasësh, më shumë të prodhuar nga ajri i veshëve se i mushkrive. E kishte futur kokën ndërsa mbështetej në brryla në sportelin e kuzhinës. Një paralelopiped ky i ngushtë, brinjëtrashë dhe imagjinar sepse krijohej vetëm nga muri në të cilin ajo vrimë e saktë ishte hapur, mur që ndante kuzhinën ku kullandriseshin të njohurat me mensën ku haheshin të përhershmet dhe ku pihej e rregullta dhe gjerbeshin të zakonshmet. Korniza e asaj së hapmes që prej druri pishe të lyer me një bojëqielli të pamundur por ekzistente dhe për atë shkak, meqënëse ekzistente, edhe ngjitëse e ngjirur dhe e zgjebur. Megjithqë Nasipi qe goxha shpatullngushtë dhe kokëvogël, hapësira që ai zinte brenda kornizës ishte më e madhe sa ajo që mbetej për të parë. Nëse zgjatje atë çast vështrimin që nga brenda kuzhinës me sobë druri matanë supit të tij të hollë dhe të drejtë mund të shihje dy a tre burra të tjerë që rrufisnin pa nge ca lëngje dhe fërkonin kalimthi mjekrat me tym.
Nasipi, nuk kishte kurrë arsyet e të tjerëve për të hyrë aty. Përveç se shef kuadri ky ishte dhe burrë i duhur dhe shembullor, pabërllafe, arsye kjo për të cilën ishte shef kuadri kur këta ekzistonin. Karriera e tij ishte e shkurtër por e shkëlqyer edhe pse premisat janë mjaft të errta dhe për momentin të pazhbirueshme. Pasi mbaroi tetvjeçaren nga e cila doli me pjesën më të madhe të alfabetit të përvetsuar suksesshëm, bëri ushtrinë në fshatin e vet me trembëdhjetë shtëpi dhe kur e mbaroi e bënë brigadier të brigadës së vetme me burra e gra që bënin ato që i dimë poqe se na kujtohen. Por pastaj me apo pa dëshirën e tij e sollën në Vlorë dhe e veshën polic, detyrë që e kreu ashtu si e kuptoi, kuptim i cili nuk mund të merret vesh sepse ai ishte mjaft i përmbajtur të shprehej. I dhanë një apartament dhe e bënë të lumtur se i qetë ishte. Ata që i bënë të gjitha këto, ashtu si dhe arsyet mund vetëm të merren mend. Ca vite pasiqë ishte polic i thjeshtë e bënë polic të plotfuqishëm në një fshat aty afër ku gjeti meqë iu dha rasti të ishte i plotfuqishëm dhe prapë pjesërisht në fshat, një grua që po i binin flokët dhe që e tundëte kokën si indiane Indie edhe kur gëzohej edhe kur mendonte se duhej të qante. Nuk dihet nëse ishte kjo meritë hutuese që e bëri atë të meritueshme për Nasipin, i cili nuk dihet si vendosi por ama dihet që u martua. Pak pas kësaj vrau padashje një burrë që kish ca fëmijë me mosha të ndryshme. Ata e kuptuan që këtu kishte diçka që shkonte dhe e bënë shef kuadri për/dhe në të dyzetat e atij tjetrit, të një ndërmarrjeje ndërtimi të madhe dhe që titullohej Perlat Rexhepi. Për ata që nuk e dinë poeti tha “ Çka po thot Perlati/ Burra bahi gati/ Se ka ardhë sahati/ Shqypënisë me i dhanë barot” dhe prapë, “Perlat toskë vlonjaku/ Aty ku të ra gjaku/ Lulëzon zambaku/ Lule për mejdan”, për ata që nuk e kuptuan si e qysh mu tek këto vargje është lidhja e emërimit të Nasipit dhe bëmave me yje të urinuar i cili ndenji në atë post deri në fund të fundit kur e nxorën në pension para kohe se i kishte dhënë më shumë se çduhej atdheut ose për ti dhënë dhe thënë ndryshe.
Siç dhe ndër të tjera tha prapë--Bërshime, me ty e kam, do m’japsh atë që’eq’i. Bërshimja, një grua e kolme sepse kuzhiniere të përhershmesh, po bënte të njohurat e drekës së puntorëve që nuk hanin në fakt aty, ktheu kokën me leshura të mbledhura mbi kokë dhe rrotulluar po aty dhe tha-Hë?! Nasipi e humbi pak fillin që rrallë e gjente dhe përsëriti pa e bërë veten por duke u mbibërë, trashi pa sukses zërin, zgjati dhe më brenda kokën, e vështroi tjetrën me ata sytë e tij të vegjël dhe vetpërpilues dhe shqiptoi prapë-- Atë që’eq’i, me njëfarë drithërime nga parandjenjat që po turbullonin e që meqë nuk e dinte ç’ishin këto ndjenja të reja vendosi të këmbëngulte se nuk i kishte, edhe zëri, siç po thuhej, i ndërroi pak, aq sa për ti tia zhdukur fare dyshimet asaj tjetrës se aty po luhej një lojë e lojtur fare...edhe afrohet dhe thotë duke bërtitur, por kuptueshëm-Çdo ti more mos të dashtë njeri, çthe ore, çthe të thashë, mos e thuaj prapë ta thënçin në rrëzë të veshit, mos më fol mua ashtu ti more, morr, more vesh...mora thuaj, ça kujton se jam unë që mos qofsh e mos pafsh ditë të bardha, hyt sikterisu, sikterr, u sterrofsh e mos gjesh derman, më ik or të thashë zduku, u zhduksh nga faqe dheut, ore çmë rri aty si rrënxuar, rënç e thefsh qafën, paske qenë maskara e shkuar maskarenjëve...Edhe i afrohet se ai tjetri nuk po e besonte që gjë po ndodhte, nuk po e mblidhte se nuk kishte cfarë dhe kur ajo gruaja qe mu përpara kokës së tij me kapele pas se cilës ishin nja tre burra që i kemi përmendur dhe ishin afruar se edhe atyre nuk u besohej ca nga lëngu dhe ca nga këndellja dhe Nasipi mes gjithe palëve shef kuadri, i duhur, shembullor dhe ish-polic me ndërgjegje të panjohur, e shikon atë gruan që ishte dhe e xhindosur dhe e habitur dhe i thotë pa bërtitur por jo dhe pa nerv-Atë që’eq’i dua, të thashë. Edhe Bërshimja me një dorë më të rëndë se kusia me të përditëshme ia pëllcet në fytyrë një pëllëmbë gjithë gishta si kulluface të ngjeshura duke e hapur më parë krahun aq shumë saqë gjatë kohës që e përshkruante atë trajektore fishkëllim- thellë të mund ti thoshte-satëme, satmotre e satshoqeje kërkou të kerkofshin qentë e rrugëve-- dhe koka e vogël e Nasipit që nuk kishte flokë, nuk ishte se duhej shtuar këtu, u përplas tek korniza e sportelit pa bubullimë se druri qe i vjetër dhe i lyer me bojë vaji, por më një kërcitje bashtingëlloresh, të mbytur dhe të lagësht dhe me zor u mbajt për kornizë me duart e vogla dhe të buta. Atë çast ata burrat u lëshuan e mbajtën për shpatullash dhe njëri filloi ti thoshte—Turp, goxha burrë, shumë turp, hajde, hajde ikim tashi—pastaj me zë të ulët, duke i pëshpëritur—Nuk, bëhet kështu kjo punë, faqe botës, me zë të lartë. Mirë, ti shef kuadri je, ke ndonjë gjë në dorë, po duhet ti gjesh anën, jo kështu. Po kaq keq të ka rënë në kokë. Epo pikë e zezë. Bërshimja, breshërinte thekshëm. Nasipi nuk kuptonte fare dhe filloi të përpiqej të bërtiste duke ia dalë më në fund dhe duke i shtyrë ata të tjerët me dyshim dhe humbje—atë që’eq’i, atë që’eq’i, e dua, më duhet, atë që’eq’i. Ata burrat e humbën fare fillin që çoku e kishin. Bërshimja nga ana e vet gati u çmend se absurdi nuk njihej fare nga ato anë e ndërmarrje, dhe ulëret prapë, jo, në vazhdim—ah kur nuk ta hoqa me mashë të heqshin zvarrë të mos kishe derdëllitur më në jetë të jetëve. Nasipi nuk priti që ajo të mbaronte por u ndriçua i tëri, fitoi fuqi dhe dinjitet, turfulloi, u shkund dhe tha me zë të plotë dhe të rreptë aq sa mundej, por dhe të gufuar e enjtur, i mbushur vetë me shpallje dhe largpamësi-Mashën e mutit desha, mashën, mashën e mutit!

Nuk ka komente:

Posto një koment

Faleminderit per komentet