21 janar 2007

“Shën Berisha” si Shën Kozmai

“Shën Berisha” si Shën Kozmai


Arben Llalla

Deklaratat e fundit të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për gazetën “TO VIMA”, për çështjen çame si problem teknik ligjor dhe jo problem kombëtar, zgjidhjen e problemit çam midis Greqisë dhe Shqipërisë pa ndihmën e Europës dhe SHBA-ve, si dhe emërtimin i minoritetit grek si “vorioepiriot”, ka hutuar politikanët shqiptarë dhe i ka dhënë një goditje të rëndë çështjes çame. Me këtë deklaratë, Berisha mund të quhet një Shën Kozma Berisha. Por kush është Shën Kozmai që kryeministri Berisha po e imiton në kohën tonë?
Shën Kozmai është për grekët babai i përhapjes së greqizimit në Greqi për asimilimin e shqiptarëve (arvanitasve) dhe për asimilimin e shqiptarëve në Shqipëri. Këtë na e dëshmojnë shumë dokumente historike, njëri në to është shkrimtari grek, Thoma Paskidhus, i cili në vitin 1879 boton një libër për bullgarët, vllahët dhe shqiptarët. Autori grek shkruan se “këtë vepër ia kushtoj veprës së Shën Kozmait”. Duke e quajtur “BABAI I GREQIZIMIT”. Studiuesi i nderuar, prof. Sherif Delvia, pak muaj më parë botoi një studim për figurën antishqiptare të Shën Kozmait në gazetën “Shqip”. Shën Kozmai përhapi gjuhën greke nga Suli i Çamërisë e deri në Krujën e Skënderbeut. Në gazetën “Shqip” 7 tetor 2006, prof. Delvina solli dokumente për Shën Kozmanë, ku thuhej:
"Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra". (Predikimi 7 drejtuar shqiptarëve të Epirit).
Një dokument tjetër për greqizimin e fshatrave shqiptare të bërë nga propaganda e Shën Kozmait janë dhe fshatrat Frashtani dhe Lugari në Dropull. Frashtani dhe Lugari banohet nga shqiptarë ortodoksë dhe kur kaloi andej Shën Kozmai, deklaroi që këto fshatra duhen të asimilohen dhe të greqizohen.
Për greqizimin e fshatrave Frashtan dhe Lugar në Dropull kemi edhe dokumentet historike të kohës së mbretit Ahmet Zogu, kur fshatarët e Frashtanit edhe të Lugarit i shkruanin mbretit të shqiptarëve, Zogut:
Ahmet Zog, o madhëri. Kjo punë qish bëri vaki, të mësojmë grekçen në skoli (shkolël)? Frashtani dhe Lugari s’kanë punë me Greqinë se janë me Shqipërinë. Duam gjuhën që flet ti dhe flamurin kuqezi, duam shkollë si në Muzinë, si fshatrat që kemi fqinjë, Labova me Lunxhërinë. Dhe gjithë bregdeti ynë.
Ahmet Zogu, Mbreti i shqiptarëve, u përgjigjet fshatarëve të Frashtanit dhe të Lugarit: “Vllazën të gjakut dhe të gjuhës! Duke përgëzuar për dëshirat tuaja të zjarrta, ju uroj t’i gëzoni shkollat shqipe”.
Këto janë vetëm disa vështrime historike për propagandën e Shën Kozmait për greqizmin e Jugut të Shqipërisë. Por sot, në ditën me diell, po na del një Shën Kozma Berisha i shekullit XXI, më i rrezikshëm se Shën Kozmai i shekullit XVIII.


Sali Berisha dhe grekët

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i njohur për ndjenjat e tij kombëtare në vitet 1992-1999, ka filluar që në fillim të vitit 2002 të braktisë çështjet madhore kombëtare dhe të bëhet një vasal i Greqisë. Në qoftë se do t’i rikthehemi ngjarjeve nga vitit 2002-2007, Sali Berisha ka bërë mjaft për çështjen greke për aneksimin e Jugut të Shqipërisë, duke dëmtuar rëndë çështjet kombëtare shqiptare.
Mbas triumfit të Partisë Socialiste në Athinë, në mitingun e vitit 1997, ku për herë të parë një parti shqiptare organizonte miting parazgjedhor edhe Partia Demokratike mendoi të themelonte degët e saj të partisë në Greqi.
Kështu, në vitin 2000, në Athinë dhe Selanik u themeluan degët e PD-së e në këto degë të PD-së u anëtarësuan shumë nacionalistë shqiptarë, me shpresën se PD-ja përfaqëson të djathtën e vërtetë shqiptare. Por koha po tregon se kryetari i PD-së qenka bërë vasal politik i grekëve. Më kujtohet shumë mirë vizita e Sali Berishës më 19 qershor të vitin 2003, ku mori pjesë në Kongresin e Partive Popullore Demokratike Europiane. Ishte vizita e parë zyrtare e Berishës në Greqi dhe ai qëndroi nga 19-21 qershor (ose korrik) në hotel “Sani Beach”, rreth 80 km larg nga Selaniku. Siç duket, aty, në hotel “Sani Beach” Berisha ka mundësi të ketë bërë marrëveshje politike për ngjitjen e tij në pushtet me ndihmën e grekëve dhe përhapjen e greqizimit në Shqipëri nga ana e tij.
Në gazetën “Shekulli”, Diouardi do të shprehej për takimin e Berishës me kryetarin e Lobit për Vorioepirin, Nikolas Geixh: “Berisha ka tradhtuar interesat e shqiptarëve të Amerikës dhe ato të Shqipërisë që është takuar me armikun e shqiptarëve, Nikolas Geixh”.
Për atë takim Berisha u kritikua nga të gjithë personalitetet kombëtare shqiptare në mbarë botën. Ky është vetëm fillimi i historisë së krushqisë politike të Berishës me grekët. Berisha, në fillim të vitit 2006 do të hapte zyrtarisht shkollën e parë greke shtetërore në Himarë. Atje ku historikisht nuk njihet si vendbanim i minoritetit grek.
Të hapësh sot një shkollë private greke, turke, italiane, serbe etj., nuk është problem kombëtar. Por kur hapen nga shteti shqiptar shkolla greke aty ku nuk njihet si vend i minoritetit grek, kjo gjë është e rrezikshme për të ardhmen.
Më tej vazhdon me skandalin e varreve rë ushtarëve të vdekur grekë në Luftën italo-greke në Shqipëri. Për t’i shpërblyer grekët për ndihmën që i dhanë në zgjedhjet e 2005-s deklaron se problemi çam është një problem ligjor dhe jo kombëtar.
Por le të kthehemi edhe një herë në deklaratën e Berishës për gazetën greke “TO VIMA”, të cilën e botuan edhe në mediat shqiptare, ku thuhet: “I pyetur për minoritetin grek në Shqipëri, Berisha u përgjigj se "vorioepiriotët" janë integruar në shoqërinë shqiptare, sikurse shumë shqiptarë i janë bashkuar shoqërisë greke”.
Berisha duhet ta dijë se termi “vorioepiriot” në gjuhë diplomatike midis dy vendeve është i ndaluar. Politikanët grekë zyrtarisht asnjëherë në Tiranë nuk e kanë përmendur fjalën “vorioepiriot”, ndërsa kryeministri ynë në prag zgjedhjesh bën gafën më të madhe diplomatike, duke i quajtur minoritarët grekë “vorioepiriotë”, ashtu siç i quajnë qarqet shoviniste greke. Sali Berisha bën mirë të kërkojë falje publike për këtë, sepse po nuk e bëri, historia do ta dënojë si Shën Kozma Berisha.
Zoti Kryeministër! Unë nga mëma jam nga Gjirokastra, ndërsa gjyshin e babait e kam me origjinë nga Suli i Janinës. A mund të më thoni: A ndihem grek? A jam unë “vorioepiriot”?!
Ish-kryetar i Forumit të Emigrantëve Shqiptarë në Greqi, dega Selanik

2 komente:

  1. Qe komenti i Berishes eshte gafe stratosferike jam dakort.
    Kam vetem nje keqardhje qe me lind sa here lexoj shkrime gazetaresh shqiptare, shkruhen "romane" kur me tre paragrafe "direkte" a)c'beri berisha b) c'beri shen kozmai c) pse berisha eshte si shen kozmai mund te thuhej gjithcka.
    "Pak e sakte" thote populli.

    PërgjigjuFshije
  2. Ke te drejte...shkruajne gjate sepse kane pak kohe......dhe s'ka me gazetare qe te kene aftesine e permbledhjes se mendimit ne pak fjale :)

    Nese do te LEXOSH shqip,kliko tek linku i memo metos tek te preferuarit e mij...e adhuroj ate djale

    PërgjigjuFshije

Faleminderit per komentet