07 janar 2007

Errësira si alternativë tribale

Marre nga gazeta panorama
Aleksandër Çipa
Në Shqipërinë e sotme ka dy kriza: Janë dy kriza evidente, e para është kriza energjetike në të cilën po zhytet frikshëm vendi dhe e dyta, kriza zgjedhore, produkt i kapriços politike, pjesë e një skenari për të cilin shumëkush prej autorëve do të ndihet keq së afërmi.Të dyja këto kriza vluese janë në përgjegjësinë e errësirës së rënë dhe të gjendur, në ndërgjegjen njerëzore të udhëheqësisë së vendit.“Errësira i burgos njerëzit”. Kjo është fjalë e urtë biblike. Ne, përmes orëve në shtim dhe përmes ditëve të errësirës energjetike, po vijojmë vuajtjen e një regjimi të pameritueshëm. Në orare të Korporatës së vetme, ne po i nënshtrohemi një burgosjeje kolektive. Burgosemi si individë, si administratë, si shtet, si institucione, si qiell dhe si tokë-det i këtij vendi. Në një tranzicion të tërë, po mbesim në regjimin e kësaj burgosjeje të ricikluar. Po pse? I kujt është faji?
Së paku, dimë i kujt është durimi. Eshtë i yni. Durimi është virtyti ynë i shpifur në kushte të tilla. Kush prej popujve të Evropës Juglindore kalit durim të tillë? Cila prej shoqërive civile të vendeve ballkanike ka një durim të tillë të shpifur? Cila elitë e shteteve ballkanike e mban në kësi burgosjeje vendin dhe tërësinë e vendit? Askush dhe askund.
Kjo errësirë është një alternativë tribale. Në pothuajse njëqind vargje të Biblës dhe të Kur’anit gjen dedikesë dhe deduktivitete për errësirën. Ne i shijomë dhe i prekim për çdo ditë të këtij dimri të thënat për errësirën. Pranë tyre sajojmë aforizmën tonë shqiptare: Errësira në kohë të tilla moderne, në ditë si këto të njerëzimit të sotëm, u përket vetëm shoqërive të tredhura.
Për këtë krizë, fajtorët janë të paktë. Autorët e kësaj krize janë administratorë të sjellë prej Qeverisë së duarve të pastra, apo janë të pafajshmit e paaftë? Kjo krizë e ricikluar prej 17 vjetësh në Shqipëri nuk ka të ndëshkuar. Ky është një ndër absurdet më grandiozë të Shqipërisë së sotme në errësirë. Cilët janë “efesianët” satanikë të Shqipërisë në errësirë? Asnjë vit nuk u shpallën dhe nuk u ndëshkuan ata. Në çdo behar të këtij tranzicioni të egër ne kemi harruar krizësjellësit dimërorë të errësirës. Pse kjo harresë dhe kujt i duhet më tej ky durim?
Shqipëria është vendi që për kushtet dhe rrethanat mund ta qaste vetëm si grotesk krizën energjetike, ndërkohë që qeverisjet e këtij vendi të shkuarat dhe sipas gjasave dhe të paardhurat, e riciklojnë si krizë mungese dhe realitet burgosjeje. Për këtë mëkat social të ripërsëritur, sot do të ishte i motivuar çdo lloj reagimi qytetar. Mirëpo çuditërisht, errësira jonë burgosëse, po na shton heshtjen dhe na kalit si më parë, durimin. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, përmes një buzëqeshjeje prej “play-boy” shfaqet në lidhje telefonike në ekrane dhe flet për skenarët që shfaqen në rajon dhe Evropë, ku kriza as është shfaqur dhe as po njihet. Asnjë prej vendeve tona fqinje nuk përjeton këtë terr energjetik që vuajmë ne. Ky drejtues “mustaqe padirsur”, deri më sot, vetëm shpresë për pak dritë, nuk të ngjall. Atëherë si do të shkojë filli i kësaj krize?
Politika po i shton kësaj errësire, mjegullimin e mëtejshëm zgjedhor. Prej gati një muaj të rënë në këtë terr pa krye dhe shpresë, ende nuk kemi një mbledhje të posaçme qeverie. Pse? A nuk është kjo nevojë imediate për një kryeshërbesë?
Prej tre muajsh po mbetemi nën një errësirë mosmarrëveshjesh politike. E kemi humbur kalendarin kushtetues dhe tashmë po ecim nëpër ditë të paparashikueshme as nga konstitucionalistë të 50 vjetëshit të shkuar. Pse kaq mbrapshtësi? Kjo krizë e më shumështuar prej errësirës energjitike, s’po na jep mundësi të vlerësojmë se ç’po ndodh me qeverisjen e ndërruar prej një viti e gjysëm. Kujt i vlen kjo mosparje? Kujt i duhet kjo kohë errësire? Qëllimi i autorësisë mikse, as më pak e as më shumë, i shkon verbërisë kolektive që ne e demonstrojmë edhe kur i hapim sytë deri matanë kokërdhokëve. Demokracia është rendi i “bijve të dritës”, ndërsa ne e pranojmë edhe duke mbetur “bij në errësirë”. Ky është vërtet një nënshtrim tribal i shoqërisë sonë.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Faleminderit per komentet