06 janar 2007

gruaja force e madhe !

S'e di se si,por duke lexuar nje artikull me erdhi ndermend "Luli i vocerr".
Jo, personazhja e ketij shkrimi nuk vuan per 'tollumbat' e saj te grisura,por,jeta e saj,SOT,12km larg Tiranes plot ngjyra e drita,nuk ka ndryshuar aspak ne krahasim me jeten e bashkohesve te LULIT TE VOCERR.


“Mos ta dëgjoj emrin Pezë”. Kjo është shprehja proverbiale që ka mbetur nga Lufta e Dytë Botërore për një nga fshatrat më të dëgjuara të Tiranës.

Varfëria shpërfytyron pezakët


Fluturimja është një vajzë-grua mbi të 35-at. Kërrusja nga çanta e madhe që mban mbi shpinë dhe trupi i saj i imët ia dyfishojnë moshën. Çdo ditë ajo udhëton me 20 bidonë qumështi nga qendra e Pezës së Madhe në Tiranë. Në shtëpinë e saj ka tri lopë, me të cilat familja e saj mban frymën gjallë. Ajo duhet të çohet në orën 3 të mëngjesit për të mjelë lopët. 35-vjeçarja vajzë-grua është një mjelëse e talentuar, por dhe një bareshë shumë e zonja. Mbasi i mjel lopët duhet që qumështin ta hedhë në 20 bidonë 1,5 litërsh. Një punë shumë e lodhshme, thotë vajza-grua trupvogël. Në orën 6 duhet të zërë autobusin e parë Pezë-Tiranë, që të mbërrijë në lagjen Kombinat në orën 6:30. Peza është rreth 12 kilometra larg nga Tirana. Brenda dy orësh ajo i shpërndan 20 bidonët e qumështit në 20 familjet që janë abonuar. Në orën 11:00 ajo rikthehet në fshatin Pezë të Madhe. Dita e saj ka të tjera impenjime, që lidhen me profesionin e saj. Rituali i saj i përditshëm fillon në orën 3 dhe përfundon vonë. Të kujdesesh për tri lopë është një detyrë shumë shumë e vështirë. Por për Fluturimen ky është i vetmi biznes. Si Fluturimja në Komunën e Pezës gjen me dhjetëra vajza dhe gra, të cilat blegtorinë e kanë në krye të listës së punëve. Ato nuk njohin tualet, bizhuteri apo kozmetikë, edhe pse janë shumë afër Tiranës. Nga puna e rëndë në bujqësi gratë janë shndërruar në gjysmëburra. Kurrë nuk venë buzëkuq, apo të lyejnë flokët në permanent. Vetëpunësimi me anë të mbarështimit të lopëve është baza e mbijetesës së 12 fshatrave të kësaj komune. Fluturimja është një vajzë-grua fjalëpak dhe shumë korrekte në punën e saj. Këtë punë të vështirë ajo ka mbi dhjetë vjet që e bën. Është e lodhur nga puna e rëndë ditore e biznesit të saj. Biznesi i saj është shumë primitiv. Të gjitha duhet t’i bëjë me anë të duarve të saj, të cilat janë çarë dhe janë bërë ashëra-ashëra nga të ftoftët, siç kanë vepruar të parët e saj para 70 vjetësh. Kasollet e lopëve u rindërtuan me mjete rrethanore në vitet ‘90. I vetmi ndryshim nga blegtoria e 70 viteve më parë janë vetëm bidonët plastikë 1,5-litësh, në të cilët hidhet qumështi. Ata janë bidonë në të cilët është tregtuar koka-kola. Klientët e Fluturimes, mbasi marrin qumështin me 70 lekë bidoni, herë i lajnë dhe herë ia kthejnë të palarë. Kur ia kthejnë të palarë, atëherë detyra e Fluturimes bëhet më e vështirë. Ka ditë që i mbeten 5 deri në 10 bidonë qumështi. Ajo ulet në qendër të Kombinatit dhe i shet këto bidonë. Që të blesh një bidon qumësht duhet të paraqitësh një bidon të larë bosh. Një biznes shumë primitiv, me anë të të cilit mbajnë frymën gjallë mbi 1000 familje të Komunës së Pezës.

Nuk ka komente:

Posto një koment

Faleminderit per komentet