09 janar 2008

Jam Krenar!

Pasi e dija që ishte ora që radioja në atë orar kishte si zakonisht një program për jetën e artistëve e këngëtarëve të mëdhenj, që kanë lënë "firmën" e tyre në historinë e kulturës botërore, prisja se mos jepte ndonjë program për të madhin Elvis, meqë sot ishte ditlindja e tij.
Megjithëse nuk po flitej për Presley-n, sërish ndenja në frekuencat e saj, sepse po fliste për jetën e një tjetri po aq të madh: Luis Armstrong.
Isha si i përhumbur pas magjisë së xhazit të këtij Mjeshtri, kur në sfond, nga radiomarrësja e kamionit, megjithëse ja kisha ulur volumin pothuajse deri në fund, dëgjova:"Oj shqipe"

Është thërritja "standard" që përdorim ndërmjet nesh kamionistët shqiptarë kur shikojmë ndonjë flamur me shqiponjën që shkëlqen në xhamin e ndonjë kamioni përballë....
-Oj Shqipe! , u dëgjua sërish, dhe ngaqë nuk po dëgjoja tjetrin që ti përgjigjej, dhe meqë isha i sigurtë se nuk po më thërriste mua (nuk kam kamionin tim këto ditë, pra ky që kam, nuk ka "shenja" shqiptarizme :)), "vendosa" që ti përgjigjesha:
-Tjeta plako!
- "Gjithë t'mirat e rruga e marë, vlla. Pashë flamurin e deshta me t'përshnetë"- mu përgjigj gjithë gzim kur dëgjoi që i fola.
- Jo mor vlla, se nuk më ke parë mua, do kesh parë ndonjë tjetër, por meqë të dëgjova, thashë të të përshëndes, ju përgjigja duke qeshur.

Vazhduam të bënim muhabet, dhe U KËNAQAAAAAA.
I dhashë "gaz", e arrita dhe ndërsa po e parakaloja, ndërsa po shikonim njëritjetrin, nuk munda pa u habitur dhe pa e shprehur mrekullinë time: "Hallall plako!"

Kishte një flamur nga ata trekëndëshat, por nuk e kishte si gjithë bota... ishte pa egzagjerim pothuajse sa gjysma e xhamit :).

Ndaluam për të pirë kafe dhe vazhduam të bënim muhabet.
Kënaqesha me entuziazmin me të cilin më tregonte që para disa kohësh kishte qënë në një zonë të Kalabrisë ku kishte dëgjuar që flisnin shqip. Kishte ngelur kaq i imresionuar nga ky fakt, që më thoshte se sapo të merrte lejen, do merrte gruan dhe kalamajtë dhe do të shkonte të bënte ca ditë andej...
-Ata janë burra Ed, më thoshte, dhe mas 500vjetsh flasin gjuhën e tyne si n'fillim, jo si shumë prej nesh që kanë harrue me folë shqip, llogarit fminë e tyne.
-A, e din që unë jam myslyman?, më pyeti :), dhe me emrin që kish (quhej Isuf) vetëm më bëri të qesh, sepse nuk e kuptova se ku e kishte.
-Kjo asht feja e babës dhe nanës teme, unë nuk mun t'nrroj sot, edhe fmijës kam me ja kalue kët besim n'Zot, unë s'kam pse i bije hasha që jam Shqiptar dhe që jam myslyman....
- Isuf, unë s'kam të tilla paragjykimesh, i thashë
-Po a e din ti Ed, se masi m'nigjoj që i fola n'dialekt temin, nji djalë nji ditë m'tha: "Aha, kujtova se ishe shqiptar (!!!) se pashë flamurin, prandaj të fola....".
- Ta dish se sa më piklloi n'shpirt mor Ed kur e ngjova njat fjalë, bile ndërhyna me e qetsue nji tjetër që e ngjoi kët muhabet, e nuk i la fjalë e t'shame pa i thanë.
-Jena vllazën mor njeri, flasim t'njajtën gjuhë e kena le prej t'njajtës nanë...
-Pse duhet me pa se kush asht mylyman dhe kush jo? Pse duhet me ra pre e fjalve t'shkjaut që e qiste luftën tonë si luftë mes njani tjetrit?
Duhet ta dinë të gjithë që kur luftuem, luftuem për Kosovë, dhe jo për me venosë se kush ka t'drejta ma shum.....

Më iku e gjithë lodhja, ndjehesha si me një mik që kisha kohë pa e parë dhe megjithëse ndenjëm vetëm rreth gjysëm ore bashkë, më dukej sikur e njihja gjithë jetën, më bënte të ndihesha krenar që mu dha mundësia ta njihja: Isufin që kishte lënë nusen me fëmijën 6 muajsh këtu në Itali, për tu rrjeshtuar në rradhët e vëllezërve luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës !

Sa do të doja që në radio, ndër më të mëdhenjtë që kanë firmosur Historinë, të flitej dhe për MIJËRA Isufët që pa i njohur asnjëri, ditën dhe DIJNË që të jenë gjithmonë krenarë që të jenë Shqiptarë.
Jetë të gjatë Isuf!
Të të rrojnë Endriti,Nailja, Elvira dhe gjithë çka ke n'zemër!
Qoftë ky vit, viti i realizimit përpjekjeve tuaja,të luftës dhe ëndrrës tënde dhe tonës, për një Kosovë të lirë dhe të pamvarur!

8 komente:

  1. Rrofsh Ed qe nepermjet blogut na njofton se ka njerez qe edhe pse s'jane vertet ne "tabelen e nderit" jane nderi i Shqiperise pa dyshim!

    p.s. hap nje radio qe te njihemi me gjithe isufet e vertet:)

    PërgjigjuFshije
  2. Oj Shqipe...

    Bash bukur Ed... Njerez si Isufi jane fitore e madhe....

    PërgjigjuFshije
  3. Bukur...edhe mua me ka ndodhur nje here keshtu, ndersa kisha veshur nje t-shirt te kombetares sone ne Holland...
    Kush i pagoj kafet..:P

    PërgjigjuFshije
  4. "se fjala ka peshe e nuk matet me oke..."

    Kuq e zi,
    me shqiponje ne gjoks,
    jam krenar pse jam shqiptar!!!

    PërgjigjuFshije
  5. Eshte vertet shume e dhimbshme dhe e pakuptueshme nje fare ndarje qe nje pjese e shqiptareve bejne...siç ndodh edhe ne rastin qe na solli Edi...s'e di pse, s'e di...

    PërgjigjuFshije

Faleminderit per komentet