05 mars 2007

Fjalimi i kryeministrit Agim Çeku

Të nderuar bashkëqytetarë,



Sot, ne kujtojmë e nderojmë përvjetorin e nëntë të epopesë së lavdishme të UÇK-së. Kjo epope nisi me sakrificën sublime të familjes Jashari. Epopeja e Lavdishme e Jasharajve e ndërgjegjësoi dhe e mobilizoi popullin tonë, i cili gjeti te komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari - heroin, frymëzuesin dhe prijësin e vet historik. Marsi i Jasharajve përfundimisht e ndërroi historinë. Rezistenca e Adem Jasharit e zhvendosi fokusimin nga përvojat e viktimizimit dhe poshtërimit të shqiptarëve prej okupatorit serb, te transmetimi i krenarisë dhe thirrjes për liri. Në mars të vitit 1998, populli i Kosovës hapi një kaptinë të re – atë të luftës së armatosur, si e vetmja rrugë e sigurt e mbetur drejt lirisë. Ngjarjet e marsit dhe vetë rezistenca e Adem Jasharit u shndërrua në një ikonë të solidaritetit kombëtar politik dhe e bëri të panegociueshme kërkesën tonë për pavarësi. Kushtrimi i Epopesë së Jasharajve, u përhap shpejt në gjithë Kosovën dhe gjithandej ku jetonin shqiptarët. Këtij kushtrimi iu përgjigjen mijëra djem dhe vasha, të cilët u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila pati rolin vendimtar në çlirimin e Kosovës. Ne, UÇK-ja, e fituam luftën, sepse ne anën tonë ishte e drejta dhe e verteta, sepse bëmë luftë të pastër çlirimtare dhe armët tona asnjëherë nuk i drejtuam kundër civilëve serbë, por vetëm kundër regjimit të Millosheviqit dhe aparatit të tij të dhunës.

Ne dolëm fitimtarë, në kuptimin e plotë të fjalës, sepse në anën tonë kishim SHBA-të, Anglinë dhe fuqitë demokratike të botës, të cilat vunë në veprim aleancën më të fuqishme ushtarake – NATO-n. Ne u jemi mirënjohës miqve tanë për atë që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për Kosovën.

Bashkërisht me miqtë tanë, ne e përmbyllëm me sukses kapitullin e lirisë dhe tani bashkarisht po e përmbyllim me sukses edhe atë të pavarësisë së Kosovës. Kosova do t’i fitojë atributet e sovranitetit dhe shumë shpejt do të dalë nga gjendja e ambiguitet në të cilën ndodhet aktualisht. Kosova po bëhet gati për të marrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë. Nga dokumenti i presidentit Ahtisaari del qartë se do të kemi të gjithë mekanizmat që i ka një shtet demokratik, përfshirë edhe mekanizmat e mbrojtjes dhe sigurisë. Do të kemi policinë tonë, forcën e armatosur, Ministrinë e Mbrojtjes, kontrollin mbi hapësirën tonë ajrore, shërbim të inteligjencës, Këshill të Sigurisë Kombëtare. Do të kemi, pra, të gjithë institucionet që qytetarët e Kosovës i presin prej një shteti demokratik dhe modern. Ne do t’i kemi të gjitha institucionet që do të na e mundësojnë të bëhemi anëtar i NATO-s, aleancës më të fuqishme ushtarake të botës.

Në ndërtimin e një shteti modern, ne nuk do të harrojmë të kaluarën tonë të lavdishme. Ne nuk do të harrojmë kontributin e jashtëzakonshëm të UÇK-së dhe pasardhëses së saj të denjë TMK-së, e cila gjatë këtyre viteve e ka mbajtur gjallë dhe e ka ushqyer idenë e ushtrisë së Kosovës. Ne jemi krenarë për TMK-në, për atë që ajo ka përfaqësuar dhe për atë që ajo ka arritur. Në emër të Qeverisë e falënderoj stafin e TMK-së për punën e madhe që ka bërë dhe e siguroj se, si kryeministër, bashkëluftëtar e bashkëpunëtor, do të luftoj që ata të kenë vendin dhe trajtimin që meritojnë. Vëmendja ime dhe e qeverisë që drejtoj do të jetë maksimale për familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës.

Simboli më i shenjtë i martirizimit kombëtar dhe afirmimit të krenarisë, heroi ynë kombëtar Adem Jashari, mbetet referim detyrues për gjithë klasën politike të Kosovës. Vepra e atyre që kanë rënë për një Kosovë të lirë, na motivon dhe mobilizon për të kurorëzuar punën për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Me pavarësinë fillon një epokë e re, ajo e përparimit dhe integrimit të Kosovës, e cila shumë shpejt duhet dhe do të zërë vendin që e meriton në mesin e popujve të lirë dhe të përparuar.

Ju falemnderit!


marre nga : http://kosovapress.com/

Nuk ka komente:

Posto një koment

Faleminderit per komentet